Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”, KORÇË ZHVILLOI PUNIMET KONFERENCA XVI SHKENCORE NDËRKOMBËTARE “ARSIMI DHE KULTURA NË SHOQËRINË BASHKËKOHORE”

Në datën 5 nëntor 2021, në Universitetin “Fan S. Noli” zhvilloi punimet Konferenca XVI Shkencore Ndërkombëtare “Arsimi dhe kultura në shoqërinë bashkëkohore”. Zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet në Universitetin “Fan S. Noli”, dr. Benita Stavre, falënderoi pjesëmarrësit dhe në emër të 12 institucioneve bashkorganizatore dhe në emër të Komisionit Shkencor, deklaroi hapjen e punimeve të kësaj konference, në 30 sesionet e së cilës, u prezantuan 210 punime të realizuara nga 310 autorë e bashkautorë nga 23 shtete.

Në fjalën e mirëseardhjes në Universitetin “Fan. S. Noli” të Korçës, në 50-vjetorin e themelimit të tij, rektori, prof. dr. Dhimitri Bello, ndër të tjera, tha: “Autorët që marrin pjesë në këtë konferencë për nga vlerat dhe përvojat që sjellin do të ofrojnë zgjidhje, do të shkëmbejnë ide dhe do të sjellin risi në lidhje me arsimin dhe kulturën në shoqërinë bashkëkohore, një sfidë jo e lehtë, sidomos kur bëhet fjalë për vende si Shqipëria, ku arsimi dhe kultura kanë qenë forma të mbijetesës kombëtare dhe kanë qëndruar në themel të zhvillimit kombëtar”. Në seancë plenare përshëndetën edhe akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, bashkëkryetar i Komisionit Shkencor të Konferencës; znj. Nina Guga, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit; z. Gjet Ndoji, drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit në Ministrinë e Kulturës.

Duke qenë se kjo është konferenca e parë vjetore e Shkollës së Drejtorëve të Arsimit Parauniversitar përshëndeti edhe drejtori Ekzekutiv i saj, njëherësh koordinator i konferencës, z. Geron Kamberi. Më pas, prof. Merxhan Abduli, dekan i Fakultetit të Edukimit, Universiteti “Kadri Zeka” i Gjilanit, Kosovë përshëndeti në emër të rektorit, prof. Bajram Kosumi.

Gjithashtu përshëndetën edhe prof. dr. Kseanela Sotirifski, rektore e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe të tjerë pjesëmarrës që e ndoqën online këtë konferencë, si: zëvendësrektorja e Kolegjit AAB të Kosovës, prof. Venera Llunji, akad. Abdylmenaf Bexheti, rektor i Universiteti të Europës Jug-Lindore, Tetovë, Maqedoni e Veriut, z. Ismajl Baftijari, drejtor i Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë, Kosovë; prof. Besim Gollopeni, dekan i Fakultetit të Edukimit, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, i cili përshëndeti edhe në emër të Forumit Sociologjik të Ballkanit, si president i tij.

Më pas, në kuadër të 150- vjetorit të At Gjergj Fishtës, prof. dr. Lekë Sokoli, drejtor i Institutit Shqiptar të Sociologjisë i dorëzoi “Çmimin për Merita të Veçanta”, Klubit të Dramës të studentëve të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Ky klub këtë vit feston edhe 10-vjetorin e krijimit të tij.

Konferenca vazhdoi me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Institutit Shqiptar të Sociologjisë. Gjithashtu u bë edhe kalimi formal i stafetës së organizimit të konferencës së radhës “Nga Korça-2021 në Gjilan-2022”.

Prof. dr. Irena Nikaj koordinatore e konferencës dhe presidente e Shoqatës Sociologjike Shqiptare prezantoi programin e konferencës.

Seanca plenare vijoi më pas me prezantimet e folësve kryesorë prof. Koby Gutterman nga Kibbutzim College of Education, Tel Aviv, ISRAEL dhe prof. Lea Ypi – London School of Economics and Political Science, UK

Pas seancës plenare, konferenca i vijoi punimet në disa sesione paralele.

Konferenca XVI Shkencore, Ndërkombëtare “Arsimi dhe kultura në shoqërinë bashkëkohore” vijoi edhe në datën 6 nëntor me të tjera prezantime online të pjesëmarrësve të saj.

Leave a Reply

sqAlbanian