Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

U ZHVILLUA NË UNIKO TAKIMI KOORDINATIV MIDIS UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” DHE DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE

Në datën 2 nëntor 2020 në mjediset e Rektoratit u zhvillua një takim për koordinimin e punës midis UNIKO dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI), në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy institucioneve. Qëllimi i këtij takimi ishte përcaktimi i detyrave dhe veprimtarive me studentët dhe stafin akademik për muajt në vijim. Drejtoresha e DPPI, znj. Ledina Beqiraj tha se puna e përbashkët do të konsistojë në identifikimin e mekanizmave dhe modaliteteve të tjera të shpërndarjes së informacionit në lidhje me të drejtat e pronësisë industriale, në mënyrë që të përçohet informacioni i duhur për studentët, stafin, si dhe për përdorues të ndryshëm të pronësisë industriale. Zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet në UNIKO, dr. Benita Stavre u shpreh se është e rëndësishme që të ngrihet një grup pune, ku krahas fakulteteve do të ofrojnë mbështetjen e tyre edhe Qendra e Karrierës dhe Alumnit, si dhe Qendra e Inovacionit, të cilët kanë kontakt të drejtpërdrejtë me studentët, për  t`i orientuar ata në veprimtaritë që do të zhvillohen në këtë kuadër si: internshipe, praktika apo takime për dhënien e njohurive praktike rreth çështjeve të pronësisë industriale, si një fushë që ka nevojë për shumë informacion.

DPPI garanton mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale nëpërmjet regjistrimit të objekteve si: patenta për shpikjet, modelet e përdorimit, markat, dizenjot industriale etj., me qëllim respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave që burojnë nga regjistrimi i tyre në Republikën e Shqipërisë.

Leave a Reply

en_USEnglish