Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

REKTORI I UNIKO, PROF. DR. DHIMITRI BELLO DHE KONSULLJA E PËRGJITHSHME E GREQISË NË KORÇË, ZNJ. MAGDALINI NIKOLAU ZHVILLUAN NJË TAKIM ME FOKUS BASHKËPUNIMIN MIDIS UNIVERSITETEVE RAJONALE

Në datën 14 janar 2021, rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello zhvilloi një takim me konsullen e përgjithshme të Greqisë në Korçë, znj. Magdalini Nikolau. Gjatë takimit u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit midis universiteteve rajonale në kuadër të të cilit Rektori shprehu dëshirën, por edhe rëndësinë që ka hapja e një qendre për studime ballkanike në Universitetin e Korçës, duke e parë këtë edhe si një vazhdim të traditës së Akademisë të Voskopojës. Ai tha se përfshirja në të jo vetëm e gjuhës greke, por edhe e gjuhëve të tjera ballkanike do të ishte një ndihmesë e vyer për krejt rajonin. Gjithashtu, prof. Dhimitri Bello tha se duhen parë me përparësi edhe veprimtaritë me interes të përbashkët që mund të realizohen në kuadër të këtij bashkëpunimi ndëruniversitar si konferenca, trajnime, seminare dhe në veçanti hapja e programeve të përbashkëta të studimit, të cilat të jenë më afër tregut të punës.

Konsullja Nikolau falënderoi Rektorin për pritjen dhe vlerësoi dëshirën e përbashkët për bashkëpunim. Ajo shprehu gatishmërinë për konkretizimin sa më të shpejtë të këtij bashkëpunimi, duke filluar me takimet midis përfaqësuesve të universiteteve greke dhe Universitetit të Korçës, për të vijuar më pas me veprimtaritë e përbashkëta.  

Leave a Reply

en_USEnglish