Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

BIBLIOTEKA SHKENCORE E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NË BASHKËPUNIM ME KLUBIN E SHKRIMTARËVE “BOTA E RE”, ORGANIZUAN VEPRIMTARINË LETRARE “VENDI IM”

Në datën 23 nëntor 2021, Biblioteka Shkencore e Universitetit “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve “Bota e re”, organizuan veprimtarinë letrare “Vendi im”, në kuadër të festave të 28-29 nëntorit, si dhe të kalendarit të veprimtarive të zhvilluara gjatë muajit të librit në universitet. Kjo veprimtari e cila u zhvillua në mjediset e Muzeut të Arsimit, bashkoi aktorët më të rëndësishëm të jetës social – kulturore të qytetit të Korçës si: universitetin e përfaqësuar nga Fakulteti i Edukimit, bibliotekën “Thimi Mitko”, drejtorinë rajonale të muzeve etj.

Veprimtarinë e hapi specialistja e Bibliotekës Universitare, znj. Elena Tona, e cila përshëndeti dhe falënderoi studentët që mbështetën këtë iniciativë. Edhe kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e re”, njëherësh pedagog i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, dr. Eris Rusi tha se organizime të tilla gjallërojnë jetën studentore dhe i shërbejnë formimit estetik dhe letrar të brezit të ri. Dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho, pasi përgëzoi organizatorët, iu drejtua me një mesazh inkurajimi studentëve pjesëmarrës duke u thënë se veprimtari të tilla i ndihmojnë të ndriçojnë veten, të stërhollojnë shijet e përzgjedhjes dhe të jenë ideatorë për veprimtari të tjera që do të organizojë Fakulteti, por edhe më gjerë.

Në këtë veprimtari, dërgoi përshëndetjen e tij edhe drejtori i Muzeut të Arsimit, z. Niko Kotherja, i cili shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për këtë organizim, i cili zhvillohet në një godinë të rëndësishme si ajo e Shkollës së Parë Shqipe, e shndërruar së fundmi në një muze dinjitoz, si dhe theksoi se është në nderin dhe respektin e një universiteti, i cili, gjatë 50-vjetorit të formësimit, arriti të realizojë një veprimtari në përkujtim të penave të arta, të dedikimit të tyre për luftën për çlirim dhe pavarësi.

Veprimtaria u shoqërua me recitime dhe momente muzikore nga studentët e Universitetit “Fan S. Noli” që gjallëruan edhe më shumë atmosferën.

Leave a Reply

en_USEnglish