PËRSHËNDETJE E REKTORIT TË UNIVERSITETIT "FAN S. NOLI" Prof.as.dr GJERGJI MERO

 

Kam nderin dhe kënaqësinë që t'ju uroj  mirëseardhjen në Faqen e Internetit të Universitetit tonë, të institucionit më të lartë të arsimit në rajonin e Korçës, i cili mban emrin e njërit prej personaliteteve më të shquara të historisë e kulturës kombëtare, Fan Nolit, si dhe t'ju përcjell atë çka ju ofron Korça dhe Universiteti ynë, jo vetëm të rinjve shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve tanë, por edhe studentëve të tjerë të huaj, që janë të interesuar për të njohur dhe studiuar në Universitetin tonë.

Universiteti ynë ka trashëguar përvojën dhe arritjet më të mira të arsimit kombëtar shqiptar, të punës intensive e plot pasion të brezave të pedagogëve e studentëve, të cilët kanë kultivuar vlerat akademike dhe kanë hedhur themelet e mësimdhënies e kërkimit shkencor. Ne evokojmë këtë histori vlerash si një thesar prej të cilit brezat kanë çfarë të trashëgojnë.

Universiteti i Korçës, tashmë me një përvojë gati 37- vjeçare, është rritur dhe zgjeruar me fakultete e programme të reja, me personel akademik të kualifikuar, në shërbim të një numri gjithnjë e më të madh studentësh.

Duke jetuar në një qytet që ka hedhur bazat e arsimit kombëtar, mendojmë se jemi të gatshëm të krijojmë profilin e spikatur të një Universiteti publik, të hapur ndaj prurjeve të reja, jo vetëm brenda rajonit, por edhe më gjerë, duke u përballur në mënyrë dinjitoze dhe konkurrues me sfidat e së ardhmes. Këtë e themi me bindje të plotë, duke patur parasysh garën e domosdoshme të vlerave që zhvillohet në këtë Universitet për administrimin e cilësisë dhe akreditimin e tij sa më shpejt.

Këtë vit akademik kemi hyrë plotësisht në proceset e ndryshimeve të mëdha reformuese e integruese të të gjitha programeve të studimit që ka Universiteti ynë, po bëjmë përmirësime të ndjeshme infrastrukturorore në shërbim të modernizimit të procesit mësimor dhe zhvillimit të punës kërkimore-shkencore.

Ne jemi të angazhuar plotësisht për të vënë në jetë kërkesat dhe për të arritur standardet që përcakton Deklarata e Bolonjës, si dhe për të plotësuar kërkesat që burojnë nga Ligji i Arsimit të Lartë, për ta integruar sa më shpejt Universitetin tonë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.

Autoritetet dhe organet e reja drejtuese po punojnë me përkushtim të plotë për t'i dhënë Universitetit tonë një dimension bashkëkohor në drejtim të rritjes së cilësisë dhe kualifikimit të stafit akademik si dhe të një performance të re, përballë sfidës të zhvillimit kombëtar e më gjerë.

Këtë vit akademik vazhdojnë studimet me qindra studentë në programet e studimit "Master i Nivelit të Parë" në Fakultetin e Mësuesisë dhe atë të Bujqësisë. Shumë shpejt përpjekjet tona do të kurorëzohen edhe me çeljen e programeve të studimit në cikle më të larta, ndaj dua t'i siguroj studentët se do të gjejnë te ne atë çka ata dëshirojnë dhe ëndërrojnë: studim dhe edukim cilësor, staf të përkushtuar dhe të kualifikuar, mjedise bashkëkohore mësimore, studimore dhe çlodhëse.

Ne po shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe hapësirat ligjore për të tërhequr sa më pranë universitetit potencialet intelektuale të rajonit tonë e më gjerë dhe, në të njëjtën kohë, do të bëjmë shumë kujdes për studentet e talentuar dhe të shkëlqyer për t'i ndihmuar e përkrahur si potenciale të ardhshme për universitetin tonë, duke i çuar ata me studime të mëtejshme jashtë vendit nëpërmjet programit BASILEUS në të cilin është përfshirë Universiteti ynë, si dhe përmes projekteve e marrëveshjeve që kemi me shumë universitete jashtë vendit.

Një proces mjaft i rëndësishëm, si pjesë integrale e misionit tonë, është kërkimi shkencor. Vazhdimisht është rritur interesimi për hartimin dhe pjesëmarrjen në projektet e kërkimit, si nga stafi akademik, ashtu dhe nga studentët. Vlen të përmendet angazhimi i pedagogëve dhe profesoratit në një pune serioze botuese, për t'iu përshtatur gjithnjë e më mirë kërkesave të këtij misioni. Ambicja jonë është që numri i pedagogëve me tituj e grada shkencore të rritet ndjeshëm, me synimin që shumë shpejt të plotësojmë detyrimet që shtron para nesh Ligji i Arsimit të Lartë.

Për të realizuar sa më mirë dhe cilësisht mësimin e kërkimin shkencor, përmirësimi dhe rritja sasiore e cilësore e infrastrukturës dhe e kapaciteteve mësimore, kërkojnë nga ne më shumë investime në drejtim të zgjerimit të hapësirave dhe mjediseve të punës në këtë universitet, të cilat i kemi filluar dhe do të vazhdojmë t'i kryejmë, duke i konsideruar ato si drejtimet kryesore të punës sonë.

Universiteti ynë do të rritet e do të zgjerohet edhe më tej. Ai i ka të gjitha mundësitë për të qenë sot dhe në të ardhmen një qendër e rëndësishme arsimore, shkencore e kulturore për formimin e specialistëve e shkencëtarëve të së ardhmes, si dhe për të selitur tek ata vlerat e larta të demokracisë dhe qytetërimit.

 

Zv/Rektor per mësimdhënien Prof.dr Ali Jashari
Zv/Rektor për shkencën Prof.dr Gjergji Pendavinji

 

 

Misioni më i madh dhe më i vjetër i çdo universiteti është sendërtuar në shprehjen e Virgjilit “alma mater”, që do të thotë “nëna jetëdhënëse, nëna pjellore"; ajo që më ka dhënë gji; ajo që jep ushqim shpirtëror”. Thelbi i këtij misioni të largët ka mbetur edhe sot e kësaj dite, çka shprehet më së miri në Ligjin për Arsimin e Lartë, ku thuhet:

“Universiteti duhet të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë dhe të mbrojë dijet me anë të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve”.

Universiteti është “shtëpia” jonë e përbashkët, të cilën duhet ta bëjmë edhe më të fortë, në mënyrë që kjo shtëpi t'u bëjë ballë rrebesheve të pritshme, për t'i arritur dhe kaluar simotrat tona në Shqipëri dhe për të bërë emër edhe jashtë vendit. Unë dhe kolegët e mi e quajmë veten pjesë të këtij misioni të lartë.

 

 

Kërkimi shkencor, si pjesë përbërëse e misionit të këtij universiteti, sot dhe në të ardhmen, do të fuqizohet e do t'i shërbejë gjithmonë e më tepër zhvillimit rajonal përmes kërkimit të aplikuar, teknologjisë dhe inovacionit. Ai do të angazhojë kualitetet dhe kapacitetet më të mira akademike duke e bërë universitetin edhe një qendër të fuqishme të kërkimit e zhvillimit në rajonin e Korçës. Në përmbushje të këtij misioni, universiteti ynë do të ofrojë shërbime dhe bashkëpunime me komunitetet e biznesit, organet e qeverisjes vendore, me organizatat dhe donatorë të ndryshëm. Ai do të kontribojë nëpërmjet konsulencës, kërkimit shkencor të aplikuar si dhe shërbime të tjera në fushat e zhvillimit të bujqësisë dhe agrobiznesit, mbrojtjes së mjedisit dhe administrimit të territorit, zhvillimit të turizmit e menaxhimit të studimeve sociale e pedagogjike, shëndetit publik etj.