QENDRA E KARRIERËS DHE ALUMNI - AKTIVITETE
  • UNIVERSITETI “FAN S. NOLI”- TAKIME ME MATURANTËT PËR KËSHILLIMIN E KARRIERËS

    Në datën 19 shkurt 2018, Qendra e Karrierës dhe Alumni, si dhe pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli”, filluan këshillimin e karrierës për maturantët. Ata organizuan takime në disa prej shkollave të mesme të Qarkut të Korçës, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Rajonale të Arsimit. Këto takime kanë për qëllim promovimin e programeve të studimit që ofron Universiteti i Korçës, si dhe kriteret e pranimit në to. Maturantët gjatë këtyre takimeve kanë qenë të vëmendshëm dhe të interesuar të dëgjojnë, si dhe  kanë bërë pyetje të ndryshme për programet, sistemin e bursave, klubet studentore, mundësitë që ofrohen pas përfundimit të studimeve, etj. 

    UNIKO, si një Universitet i konsoliduar dhe akredituar, me kurrikulat bashkëkohore, stafin akademik, kushtet dhe lehtësirat financiare, fton maturantet të zgjedhin programe e studimit që ai ofron.

  • PREZANTIMI I ORGANIZATËS SË TË RINJVE AIESEC NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”

    Ditën e enjte, datë 7 Nëntor 2017 në ambjentet e Amfiteatrit “Teodor Laço” ne Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë, u zhvillua prezantimi i organizatës më të madhe të të rinjve në botë AIESEC, ky takim u mundësua me ndërmjetësim e Qendrës së Karrierës dhe Alumni dhe bashkëpunimit që kjo organizatë do të ketë me Universitetin “Fan S. Noli” në vazhdim.

    Prezantimi i saj u realizua nga Zv. Presidenti i AISEC në Shqipëri Z. Lucas Pozza, së bashku me anëtarët e organizatës në degën e Korçës, Olsi Nune, Erjona Asabella, Erotida Sevo, Vasiliqi Kume. Ata i njohën fillimisht studentët me historikun e krijimit të AIESEC, qëllimin, vlerat, mënyrën e funksionimit dhe më pas mundësite e programeve të praktikave të ndryshme që ofron kjo organizatë për të rinjtë dhe mënyrën e aplikimit, e cila ju shpjegua studentëve në mënyrë të detajuar.

    Më tej ata e zgjeruan prezantimin duke folur rreth eksperiencave të tyre personale mbi praktikat e zhvilluara në vende të ndryshme të botës, mundësi këto të siguruara nga vetë organzata.  Në këtë prezantim ishin pjesmarrës studentë nga të gjitha programet e studimit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe Fakultetit të Ekonomisë, gjatë prezantimit pati bashkëbisedime dhe pyetje të ndryshme nga ana e studentëve për natyrën e praktikave dhe çështje të tjera të cilat nuk ishin të qarta.

  • PROCREDIT BANK PREZANTOI PËR STUDENTËT E MASTERIT PROFESIONAL NË FINANCË “PROCREDIT ENTRY PROGRAM”

    Përfaqësuesit e "ProCredit Bank" zhvilluan një takim në datën 13 Qershor 2017, me studentët e Masterit Financë të Universitetit “Fan S. Noli”, për të prezantuar programin e rekrutimit për të rinjtë “ProCredit Entry program”. Ky program ka në fokus trajnimin e studentëve që diplomohen ose janë diplomuar rishtazi, pavarësisht nga fusha e tyre e studimit dhe që duan të zhvillohen profesionalisht në një bankë.  Përfaqësuesit e bankës thanë se ky program është mundësia e vetme e punësimit në Bankën ProCredit. Gjatë periudhës gjashtë mujore të këtij programi, pjesëmarrësit përfshihen në trajnime dinamike dhe ndërvepruese që karakterizohen nga diskutime të hapura. Zhvillohen projekte e punë në grup si edhe eksperienca praktike në degët e bankës në qytete të ndryshme të vendit. Përfaqësuesit e Bankës ProCredit treguan hapat përzgjedhëse në të cilat kalon program i rekrutimit dhe ftuan studentët të aplikojnë online gjatë gjithë vitit në faqen zyrtare të internetit.

  • “SI T`I SHNDËRROJMË IDETË NË PROJEKTE KONKRETE BIZNESI” ISHTE TEMA E NJË TRAJNIMI ME STUDENTË TË FAKULTETIT EKONOMIK

    Qendra e Karrierës dhe Alumni e Universitetit “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Younus Social Business Balkans ditën e enjte në datën 1 qershor 2017, zhvilluan një trajnim me student të Fakultetit Ekonomik. Qëllimi ishte promovimi i programit Social Impact Award për të rinjtë, të cilët kanë një ide për një projekt/biznes social dhe si ta shndërrojnë më pas këtë ide në një biznes konkret. Disa nga temat që u trajtuan kishin lidhje me gjenerimin e ideve, zhvillimin e modelit të biznesit, mënyrën e aplikimit online. Idetë më të mira do të vlerësohen me çmime.

Pages