UNIKO ZHVILLOI KONFERENCËN SHKENCORE KOMBËTARE “LASGUSH PORADECI NË 120-VJETORIN E LINDJES”

Në datën 25 tetor 2019, në Universitetin e Korçës, zhvilloi punimet Konferenca Shkencore Kombëtare: “Lasgush Poradeci në 120-vjetorin e lindjes”, një bashkëpunim i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë së këtij universiteti me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë,  Akademinë e Studimeve Albanologjike Tiranë, Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.   Në fjalën e hapjes rektori i UNIKO prof. dr. Ali Jashari theksoi se këtë tubim e bën më të veçantë pjesëmarrja e gjerë e profesorëve dhe studiuesve nga  universitetet e Shqipërisë, profesorëve e  studiuesve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut,  si dhe prania e znj. Marie Gusho, bija e poetit tonë të madh.
Zonja Marie Gusho falënderoi Universitetin e Korçës për këtë vlerësim dhe nderim që iu bë babait të saj, si dhe solli për të pranishmit kujtime të familjes. Më pas rektori e nderoi znj. Gusho me Certifikatën e Mirënjohjes me këtë motivacion: “Intelektuale dhe bijë e denjë e poetit tonë të madh e lavdiplotë Lasgush Poradecit, e cila ia ka kushtuar jetën e saj mbledhjes e nxjerrjes në dritë të gjithë trashëgimisë së shkruar të tij, që me zemërbardhësi e mendjehapje e ka vënë këtë pasuri të vyer në shërbim të studiuesve të rinj, në shenjë mirënjohjeje nga Universiteti “Fan S. Noli”, në ditën e Konferencës Shkencore Kombëtare kushtuar Lasgush Poradecit me rastin e 120-vjetorit të lindjes”.
Në seancën plenare të konferencës përshëndetën dhe referuan akademikë dhe studiues të ftuar si: akad. Jani Thomai, prof. dr. Qemal Murati, prof. dr. Valter Memisha, prof. dr. Kristaq Jorgo etj.
Konferenca  i vijoi punimet në tri sesione paralele ku u paraqitën nga studiuesit dhe profesorët e pranishëm rreth 60 punime mbi veprimtarinë e Lasgush Poradecit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, përkthimit etj.
Të  gjitha punimet e plota të konferencës do të përmblidhen së shpejti në një botim elektronik që do të realizohet nga Universiteti “Fan S. Noli” Korçë.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com