UNIKO NËNSHKROI NJË MEMORANDUM BASHKËPUNIMI ME SHOQATËN “MIQTË E KORÇËS”

Në datën 8 shtator 2020, rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello dhe presidenti i Bordit të Organizatës “Miqtë e Korçës”, z. Gjergji Gjinko, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me qëllim zhvillimin e një programi me interes të përbashkët për një turizëm të qëndrueshëm në rajon, si dhe për organizimin e një sërë veprimtarish të përbashkëta, ku përfshihet edhe organizimi i “Korça Forum 2020”, që pritet të mbahet në dhjetor të këtij viti. Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendësrektorja për kërkimin dhe shkencën, dr. Benita Stavre, dekani i Fakultetit të Bujqësisë, prof. as. dr. Gjergji Mero, dekania e Fakultetit të Ekonomisë, prof. as. dr. Ledina Alolli, si dhe z. Thanas Kote, përfaqësues i komunitetit të biznesit të turizmit në rajonin e Korçës.

Rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello theksoi se Universiteti dhe organizata “Miqtë e Korçës” do të bashkëpunojnë për të dhënë ndihmesën e nevojshme për promovimin e rajonit të Korçës si destinacion turistik. Gjithashtu, në kuadër të kësaj marrëveshjeje synohet të promovohet UNIKO si një aktor kryesor për hartimin e studimeve, projekteve e programeve në fushën e turizmit, si dhe për programet e studimit dhe ato të formimit profesional në shërbimin turistik.  

Presidenti i organizatës, z. Gjergji Gjinko falënderoi drejtuesit e UNIKO për mbështetjen e kësaj nisme dhe vlerësoi Universitetin e Korçës si qendrën kryesore të arsimit të lartë në rajon, si dhe për rolin e rëndësishëm që ka si organizator dhe ofrues i ekspertizës në këtë forum. Ai shprehu besimin se organizimi i forumit “Sfidat dhe mundësitë e turizmit të qëndrueshëm” do të nxitë investimet dhe politikat e duhura kombëtare dhe vendore, për të përballuar sfidat e një turizmi të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, si dhe do të jetë një shtysë më tepër për marrjen e masave të duhura për rimëkëmbjen e këtij sektori të dëmtuar rëndë nga COVID-19.

Prof. as. dr. Ledina Alolli u shpreh se fakulteti që ajo drejton dhe veçanërisht departamenti i Marketig-Turizmit, do të jenë mbështetësit kryesorë në organizimin e këtij forumi, duke ofruar perspektiva të reja për një turizëm të qëndrueshëm në rajon.

Takimin e përshëndeti edhe z. Thanas Kote, i cili e vlerësoi këtë bashkëpunim si një hap mjaft të rëndësishëm për promovimin e një biznesi të qëndrueshëm në rajonin e Korçës.