UNIKO NËNSHKROI MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME KOLEGJIN “TIRANA BUSINESS UNIVERSITY”

Në datën 23 prill 2019 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis UNIKO dhe Kolegjit “Tirana Business University” (TBU). Gjatë një takimi në mjediset e Senatit Akademik, morën pjesë  autoritetet drejtuese të Universitetit të Korçës, dekanët e Fakulteteve Ekonomikë, si dhe përgjegjësit  e departamenteve të të dy fakulteteve. Të pranishmit diskutuan për zhvillimin e marrëdhënieve reciproke akademike dhe shkencore si një instrument i domosdoshëm për realizimin e qëllimeve të të dy institucioneve. Palët u angazhuan të promovojnë një bashkëpunim të ndërsjelltë didaktik, shkencor dhe kërkimor në fushën e administrim biznesit, startup-eve dhe kërkimeve shkencore në kuadër të thirrjeve të ndryshme kombëtare apo ndërkombëtare për projekte edhe të karakterit ndërkufitar për një zhvillim të qëndrueshëm.
Marrëveshja u nënshkrua nga dekani i Fakultetit Ekonomik të UNIKO, prof. as. dr. Frederik Çuçllari dhe dekani i Fakultetit të Administrim-Biznesit të TBU, prof. as. dr. Arben Bakllamaja, si dhe nga rektorët e të dy institucioneve, prof. dr. Ali Jashari dhe prof. dr. Lavdosh Zaho.
Rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, tha se në kuadër të këtij bashkëpunimi mund të zhvillohen vizita të ndërsjellta të stafit akademik e studentëve me qëllim nxitjen e  veprimtarive të përbashkëta si leksione të hapura, seminare, konferenca, shkëmbime përvojash dhe veprimtari të tjera në fushën e kërkimit shkencor.