UNIKO NËNSHKROI MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME AKADEMINË E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE (ASA)

Në datën 11 shtator 2019, rektori i UNIKO prof. dr. Ali Jashari dhe rektori i ASA, akad. prof. dr. Marenglen Verli, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Gjatë veprimtarisë, e cila u zhvillua në mjediset e Bibliotekës Shkencore të UNIKO, rektori, prof. dr. Ali Jashari përshëndeti pjesëmarrësit dhe u shpreh se bashkëpunimi me ASA ka nisur vite më parë me organizimin e veprimtarive të përbashkëta e me kualifikimin e pedagogëve. Ai falënderoi rektorin e ASA, akad. prof. dr. Marenglen Verli për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë institucionit tonë dhe e vlerësoi atë me Emblemën e Artë të Universitetit “Fan S. Noli” me këtë motivacion: “Personalitet i shquar i letrave  shqipe, akademik, historian, profesor, studiues i palodhur në fushën e historiografisë shqiptare dhe më gjerë, çka i ka sendërtuar me shumë vepra të frytshme vetjake; pedagog i përkorë dhe i përkushtuar në shkencat historike, duke selitur dashurinë dhe dijet për to në breza të tërë studentësh dhe studiuesish të rinj në universitetet shqiptare. Në shenjë mirënjohjeje nga drejtuesit, stafi akademik dhe studentët e Universitetit “Fan S. Noli” për ndihmesat e çmuara që i ka dhënë këtij institucioni”.
Akademiku Marenglen Verli falënderoi Rektorin dhe Universitetin për këtë vlerësim dhe i njohu të pranishmit me organizimin, funksionimin dhe botimet e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Dekani i FSHNH, prof. dr. Gjergji Pendavinji, e vlerësoi bashkëpunimin midis dy institucioneve si mjaft të rëndësishëm për nxitjen e shkëmbimeve të shumanshme në funksion të zhvillimit institucional. Pedagogia e ASA, prof. as. dr. Sonila Boçi ftoi pedagogët e UNIKO  të bëhen pjesë e tryezave të rrumbullakëta dhe konferencave të organizuara nga ASA. Bibliotekës së Universitetit të Korçës, në kuadër të këtij bashkëpunimi, iu shtuan 157 tituj të rinj librash, botime të ASA, të cilat do të shpërndahen në bibliotekat e fakulteteve sipas fushave përkatëse. Gjithashtu, UNIKO dhuroi për ASA një fond librash kryesisht buletine dhe botime të konferencave shkencore të Universitetit.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com