UNIKO “SJELL” NË KORÇË DITËN NDËRKOMBËTARE TË SPORTIT UNIVERSITAR

Në datë 20 shtator 2019, Qendra e Karrierës dhe Alumni e Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Sportit Universitar, bashkinë e Korçës dhe një sërë bashkëpunëtorësh lokalë organizoi “Ditën Ndërkombëtare të Sportit Universitar” (IDUS), e cila ka për qëllim të krijojë një lidhje më të ngushtë midis universitetit dhe komunitetit. Në tryezën e rrumbullakët, që u zhvillua në mjediset e bibliotekës shkencore të Universitetit, rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, falënderoi për praninë rektorin e Universitetit të Sporteve të Tiranës, prof. dr. Agron Cuka, presidentin e Federatës së Sportit Universitar, z. Besnik Veliu, përfaqësuesit e institucioneve partnere, pedagogët, studentët, si dhe sportistët që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t`i japin emër sportit korçar dhe atij shqiptar. Presidenti i Federatës së Sportit Universitar, z. Besnik Veliu, falënderoi UNIKO për këtë organizim dhe në veçanti rektorin, prof. dr. Ali Jasharin, duke e nderuar me certifikatë mirënjohjeje për kontributin e çmuar dhe mbështetjen e sportit universitar. Gjatë bisedës ai vlerësoi rëndësinë që ka sporti për gjallërimin e jetës studentore në universitete dhe shprehu dëshirën që kjo ditë të kthehet në një traditë për Universitetin e Korçës. Në takim e mori fjalën dhe rektori i  Universitetit të Sporteve të Tiranës, prof. dr. Agron Cuka, i cili vlerësoi organizimin e të gjitha takimeve të kësaj dite. Më pas rekordmenia e atletikës shqiptare, znj. Luiza Gega, solli shembullin e saj si një sportiste e dalë nga auditorët e universitetit.

Në vazhdim të kësaj dite u zhvilluan në mënyrë simbolike: pedalimi me biçikleta, një leksion i hapur mbi rëndësinë e sportit universitar, veprimtari sportive (futboll, volejboll dhe minifutboll), si dhe një veprimtari kulturore, ku ishte e pranishme dhe zëvendësministrja për Arsimin, Sportin dhe Rininë, znj. Lorena Haxhiu.

Veprimtaritë e organizuara në kuadër të kësaj dite krijuan mundësinë për të shkëmbyer idetë, praktikat më të mira, sfidat dhe mundësitë brenda dhe përmes sportit universitar në të gjithë Shqipërinë.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com