U ZHVILLUA NË UNIKO KONFERENCA II E REKTORËVE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE SHQIPTARE NË SHQIPËRI, KOSOVË DHE MAQEDONINË E VERIUT

Në datat 6-7 mars 2020, në UNIKO u zhvillua Konferenca II e Rektorëve të Universiteteve Shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, me temë: “Universitetet Shqiptare përballë sfidave të Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë”. Pritja e rektorëve dhe e përfaqësuesve të universiteteve pjesëmarrëse u bë në mjediset e Rektoratit, ku u shkëmbyen dhe dhurata simbolike me rektorin e UNIKO, prof. dr. Ali Jashari. Më pas, rektorët u pritën në takim nga kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, ku u diskutua për rolin e universiteteve në shoqëri dhe bashkëpunimin e strukturave qeverisëse vendore me universitetet. Në takim u bënë të njohura dhe disa projekte konkrete të zhvilluara mes Bashkisë dhe UNIKO në kuadër të këtij bashkëpunimi. 
Në hapjen e punimeve të kësaj konference rektori i Universitetit të Korçës, prof. dr. Ali Jashari, përshëndeti rektorët e pranishëm, si dhe zëvendësministrin e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, z.Oltion Rumbullaku, në Republikën e Shqipërisë dhe zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës, z. Xhavit Rexhaj. Rektori theksoi se ky forum i drejtuesve kryesorë të universiteteve shqiptare lindi si një nevojë e domosdoshme për t’u bashkuar rreth qëllimeve dhe misioneve të larta e të përbashkëta në hapësirën shqiptare. Ai tha se ky organizim u bë falë nismës së Universitetit të Prishtinës, nga prof. Marjan Dema dhe bashkëpuntorët e tij, kur më 15 shkurt 2019, me rastin e 49-vjetorit të Universitetit të Prishtinës, mblodhën pothuajse të gjithë rektorët e universiteteve publike shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke diskutuar dhe nënshkruar Deklaratën e përbashkët në frymën e dokumenteve të Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë dhe ku u vendos që konferenca e dytë të organizohet dhe të mbahet në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës. Më tej, profesor Ali Jashari u shpreh: “Përgjatë dy ditëve ne do të diskutojmë për mjaft nga problemet që lidhen me temën bosht për sfidat tona të përbashkëta dhe, po kështu, në ditën e dytë të konferencës do të diskutojmë e miratojmë Përkujtesën e kësaj konference, si dhe do të vendosim për konferencën e ardhshme. Dua të falënderoj gjithë rektorët dhe drejtuesit e tjerë të universiteteve shqiptare për ndihmën që më kanë dhënë, për marrëveshjet e bashkëpunimit, për konsultat akademike, për mbështetjen në hapjen e programeve të studimit, duke i siguruar se edhe më tej unë vetjakisht, megjithëse nuk do të jem në detyrën e rektorit, do të jap ndihmesat e mia modeste. Është e natyrshme që rektorët mbarojnë mandatin e tyre dhe largohen nga detyra e kthehen në profesionin e tyre si profesorë apo pensionohen, por universitetet mbeten, zhvillohen, ndaj dhe besoj se konferenca e rektorëve të universiteteve shqiptare do të forcohet edhe më shumë në të ardhmen”.
Më pas, takimi vijoi me diskutimin e çështjeve të tilla si: Drejtimi i universitetit publik; Autonomia, strukturat dhe gjithëpërfshirja; Potenciali i pashfrytëzuar i menaxhimit të cilësisë dhe akreditimit-faktorë me rëndësi në përcaktimin e suksesit të IAL-ve; Ndërkombëtarizimi i universiteteve publike: sfida dhe perspektiva etj.
Në ditën e dytë të konferencës çështjet që u trajtuan ishin: Kurrikula universitare dhe punësimi; Roli i universiteteve në zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, diskutimi dhe miratimi i Përkujtesës nga Konferenca II e Rektorëve të Universiteteve Shqiptare, ku u vendos që konferenca e tretë të mbahet në Universitetin e Tetovës, Maqedoni e Veriut.  
Pas përfundimit të punimeve të kësaj konference pjesëmarrësit vizituan Muzeun e Arsimit Kombëtar, Bibliotekën e qytetit, Muzeun e Artit Mesjetar, Muzeun “Gjon Mili”, Pazarin e Vjetër etj.  

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com