U ZHVILLUA NË FAKULTETIN E SHKENCAVE NATYRORE DHE SHKENCAVE HUMANE FORUMI ME TEMË: “EKONOMIA E GJELBËR, NGROHJA DHE PËRDORIMI ME EFEKTIVITET I ENERGJISË NË RAJON”

Në datën 29 mars 2019, në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane u zhvillua “Korça Forum 2019” me temë: “Ekonomia e gjelbër, ngrohja dhe përdorimi me efektivitet i energjisë në rajon”, i cili u organizua nga departamenti i Biologji-Kimisë në bashkëpunim me organizatën “Miq të Korçës”. Të pranishëm në këtë forum ishin pedagogë e studentë të UNIKO, përfaqësues të bizneseve të energjive të rinovueshme, të institucioneve të huaja financiare, të organizatave joqeveritare, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, etj.
Dekani i FSHNH, prof. dr. Gjergji Pendavinji, vlerësoi kontributin që synon të japë ky forum në zhvillimin e një programi për ekonominë e gjelbër në rajon, kryesisht në çështjet e pyjeve, ngrohjes dhe efektivitetit të energjisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, përgëzoi organizatorët e këtij forumi dhe u shpreh se ideja për të ndërtuar një partneritet të fortë midis shoqërisë civile, biznesit të energjisë dhe Universitetit “Fan S. Noli” do të jetësohet më mirë dhe do të japë frytet e saj duke adresuar çështje me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. Ai nënvizoi se programi për ekonominë e gjelbër është në përshtatje me filozofinë e UNIKO për t’u qasur ndaj çdo ideje të re dhe për të përgatitur specialistë të atyre fushave për të cilat ka nevojë sot tregu i punës në rajon dhe më gjerë.
Presidenti i organizatës “Miq të Korçës”, z. Gjergji Gjinko, nënvizoi se ky forum synon të ndërgjegjësojë publikun dhe politikëbërësit për proceset e shkatërrimit të pyjeve, duke bërë thirrje për të reduktuar përdorimin e druve të zjarrit dhe gjetjen e rrugëve alternative për ngrohje. 
Në fund pjesëmarrësit diskutuan rreth propozimeve të ndryshme për energjitë e rinovueshme, ngrohjen alternative, masat për efektivitetin e energjisë dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër.