STUDENTËT E UNIKO-VEPRIMTARI NDËRGJEGJËSUESE NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË TOKËS

Në datën 22 prill, studentët e Universitetit "Fan S. Noli" oganizuan një veprimtari ndërgjegjësuese në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Takimi, i organizuar nga Këshilli Studentor i UNIKO, në të cilin studentët diskutuan dhe u njohën me veçoritë e ekosistemit në Pyllin e Fazanëve, Maliq, vijoi me  mbjelljen e dhjetëra fidanëve të rinj në këtë zonë, e cila premton shumë për zhvillimin e turizmit në gjithë rajonin tonë. Sipas kryetares së Këshillit Studentor, Ismeralda Seidolli, çdo fidan i mbjellë nga studentët përcjell mesazhin “Të duam dhe të mbrojmë mjedisin”. Po në këtë ditë studentët mbollën fidanë edhe në kodrat e qytetit të Korçës, duke shprehur kënaqësinë dhe dëshirën që veprimtari të tilla të jenë të shpeshta dhe të përfshijnë sa më shumë studentë të Universitetit të Korçës.