“ROLI I UNIVERSITETEVE PËR NJË ZHVILLIM TË QËNDRUESHËM NË RAJONIN E BALLKANIT” - UNIKO MORI PJESË NË KONFERENCËN V TË “BALKAN UNIVERSITIES ASSOCIATON”

Në datat 17 dhe 18 prill 2019, UNIKO mori pjesë në konferencën V të “Balkan Universities Associaton” (BUA), me temë: “Roli i universiteteve për një zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e ballkanit”, e cila u zhvillua në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut, Greqi.
UNIKO, si anëtar me të drejta të plota në këtë organizatë, u përfaqësua në takim nga rektori, prof. dr. Ali Jashari dhe zëvendësrektorja, dr. Erinda Papa. Seancën plenare e hapi rektori i Universitetit Aristoteli, prof. Pericles A. Mitkas dhe më pas referuan profesorë e përfaqësues të universiteteve të ndryshme, të cilët folën për bashkëpunimin midis anëtarëve të BUA, për plotësimin e detyrave dhe objektivave vjetorë, si dhe për vizionin kryesor të BUA, i cili mbështetet në vlerat e përbashkëta globale për të ardhmen e universiteteve, bibliotekave dhe qendrave kërkimore në rajonin e Ballkanit.
Më pas konferenca vijoi punimet në tri seanca paralele, ku zëvendësrektorja, dr. Erinda Papa bëri një prezantim të detajuar të programit të studimit gjuhë-letërsi, që ofron Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin e Korçës. Ajo nënvizoi se ky departament me modulet në studimet ballkanike ka mundësi bashkëpunimi me simotrat në rajon, si në organizimin e programeve të përbashkëta, shkëmbimin e stafit dhe pjesëmarrje në projekte kërkimi.
Në ditën e dytë të konferencës u zhvillua takimi i asamblesë së rektorëve të universiteteve anëtare të BUA. Në këtë takim prof. dr. Ali Jashari nënshkroi statutin e kësaj organizate duke formalizuar anëtarësimin e UNIKO me kohë të plotë në të.
Seanca vijoi me prezantimin dhe votimin për anëtarësimet e universiteteve të tjera në BUA. 
Për vitin 2019 presidencën e radhës e mban Universiteti i Bukureshtit, Rumani. Rektori, prof. Mirçea Dumitru tha se do të bëjë më të mirën për njohjen e BUA në organizime të ngjashme evropiane dhe për zgjerimin e saj me anëtarë të rinj.