ETIKA DHE GJUHA NË MEDIA -TAKIM I ORGANIZUAR NGA KËSHILLI I MEDIAS ME STUDENTË DHE PEDAGOGË TË UNIKO

Në datën 10 maj 2019, në mjediset e Bibliotekës Shkencore të UNIKO, u zhvillua një takim me studentë e pedagogë të Universitetit në lidhje me etikën dhe gjuhën që përdoret sot në median shqiptare. Ky takim u organizua në vijim të një turi që Këshilli i Medias (KM) po zhvillon me studentët në disa universitete të vendit. Pedagogu Mark Marku falënderoi rektorin, prof. dr. Ali Jashari, pedagogët dhe studentët e pranishëm në këtë takim. Ai tha se takimi synon ndërgjegjësimin e studentëve në lidhje me etikën e medias shqiptare, si dhe njohjen e tyre me KM, si një institucion i pavarur, që mbikëqyr normat etike në gazetarinë shqiptare. Më pas, gazetari dhe një ndër themeluesit e KM, z. Sokol Shameti, solli disa raste të mosrespektimit të etikës dhe gjuhës së përdorur në disa prej mediave shqiptare. Në këtë takim, ku ishte i pranishëm dhe gazetari e analisti Alfred Lela, pjesëmarrësit bënë pyetje dhe diskutuan rreth temave të trajtuara.