DEPARTAMENTI I SHKENCAVE SOCIALE ORGANIZOI NJË ORË TË HAPUR LEKSIONI- I FTUAR STUDIUESI DHE PUBLICISTI NDRIÇIM KULLA

Në datën 25 tetor 2019,   departamenti i Shkencave Sociale të Universitetit “Fan S. Noli” organizoi një leksion të hapur me temë: “Mendimi shoqëror dhe politik shqiptar”, ku i ftuar ishte studiuesi dhe publicisti Ndriçim Kulla, i cili prezantoi librin e tij të ri “Historia e mendimit shqiptar”.
Takimin e hapi dekani i FSHNH, prof. dr. Gjergji Pendavinji, i cili vuri theksin në rëndësinë e transmetimit të mendimit politik dhe shoqëror shqiptar në sistemin arsimor shqiptar, veçanërisht në atë të arsimit të lartë. Ai tha se një lëndë e ngjashme zhvillohet edhe në kurrikulën e programit të studimit “Filozofi-Sociologji”, karakteristikë e vazhdueshme kjo në programet e filozofisë për dekada me radhë. Dekani përgëzoi studiuesin Ndriçim Kulla për prurjen e tij të re studimore, një libër që pasqyron me kujdes të veçantë zhvillimin e mendimit shqiptar që prej fundit të Mesjetës dhe deri në shekullin XX. 
Në përshëndetjen e tij, rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, vlerësoi organizimin e kësaj ore të hapur, si dhe zhvillimin e shumë veprimtarive të tjera kërkimore–shkencore në këtë fakultet. Me këtë rast, Rektori e nderoi studiuesin dhe publicistin Ndriçim Kulla me Certifikatën e Mirënjohjes me këtë motivacion: “Personalitet i shquar i letrave shqipe, studiues i mendimit shoqëror shqiptar, botues i shumë veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj, publicist dhe promovues i vlerave të shoqërisë sonë, mik e dashamirës i Universitetit “Fan S. Noli”të Korçës, në shenjë mirënjohjeje për ndihmesat e veçanta që i ka dhënë këtij institucioni”.
Më pas, prof. dr. Gjergj Sinani në fjalën e tij theksoi nevojën e kultivimit të rendit moral si parakusht të padiskutueshëm në formimin e rendeve të mirëfillta politike, duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit të mendimit shoqëror dhe politik si proces i domosdoshëm i ushqimit të mendjes dhe ndërgjegjes demokratike përpara se të kalohet në pragmatizmin politik, si në politikën e brendshme ashtu dhe në atë mes shteteve-kombe.
Studiuesi dhe publicisti Ndriçim Kulla e drejtoi mesazhin e tij në nevojën e kërkimit të rrënjëve të përbashkëta historike dhe atyre të mendimit shoqëror-politik, si faktor thelbësor në forcimin e identitetit evropian të shqiptarëve. Ai shtoi se kjo mund të arrihet nga vetë shqiptarët përmes konsolidimit të kapaciteteve të tyre shtetformuese, por dhe nga diaspora shqiptare, e cila ruan në brendësinë e vet identitetin kombëtar. Z. Kulla prezantoi risitë që sjell përmes librit të tij të ri “Historia e mendimit shqiptar”.
Në fund të pranishmit bënë pyetje dhe diskutuan në lidhje me temën e trajtuar.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com