“ROLI I GUIDAVE TURISTIKE NË MUZE"-LEKSION I HAPUR ME STUDENTËT E DEPARTAMENTIT MARKETING-TURIZËM

Në datën 14 qershor 2019, departamenti Marketing-Turizëm në Fakultetin Ekonomik, organizoi me studentët e vitit III të programit të studimit “Administrim biznesi në turizëm” leksionin e hapur me temë: “Roli i guidave turistike në muze". Leksioni u zhvillua në mjediset e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë, për ta bërë sa më konkret dhe të kuptueshëm për studentët.  Në këtë orë të hapur ishin të pranishme drejtoresha e muzeut, znj. Fjoralba Prifti, si dhe znj. Enis Gjançi, guidë didaktike e muzeut. Sipas pedagogeve, dr Alma Zhilla dhe prof. as. dr. Esmeralda Shkira, ky leksion i hapur u dha mundësi studentëve të njihen me një pjesë të kulturës e trashëgimisë sonë kombëtare, si dhe të diskutojnë rreth ndikimit të saj në zhvillimin e turizmit në rajonin e Korçës. Studentët treguan interes për rolin e rëndësishëm që kanë guidat turistike në muze dhe qasjen e këtij profesioni me tregun e punës.