Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

MATURANTË TË RAJONIT TË KORÇËS, DHE JO VETËM, MORËN PJESË NË DITËN E HAPUR TË ZHVILLUAR NGA UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” NË KUADËR TË FUSHATËS SË INFORMIMIT TË MATURANTËVE

Në datën 11 mars 2021, në kuadër të fushatës së informimit u zhvillua në UNIKO “Dita e hapur për maturantët”. Nëpërmjet platformës online, në takim morën pjesë autoritetet drejtuese të UNIKO, pedagogë e studentë, të cilët mirëpritën dhjetra maturantë që u bënë pjesë e tij. Dita e hapur u zhvillua në dy panele. Fillimisht të gjithë pjesëmarrësit ndoqën takimin në panelin e parë, ku ishin të pranishëm rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello, zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre, zëvendësrektori për mësimin, dr. Arto Adili dhe kryetari i Këshillit Studentor, Kodhel Zere. Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori falënderoi pjesëmarrësit, ndërsa iu drejtua maturantëve që si studentë të ardhshëm të zgjedhin Universitetin e Korçës. Ai i njohu ata me disa prej pikave më të forta që ofron UNIKO, tashmë një institucion i konsoliduar dhe i akredituar me vlerësimin më të lartë, duke u renditur ndër universitetet më të mira në vend. “Ky Universitet ofron programe të  shumta të studimit çka u krijon mundësi studentëve të jenë sa më pranë tregut të punës, infrastrukturë bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor dhe praktikës profesionale, mundësi të shumta për përfshirjen e studentëve në mobilitete në kuadër të mjaft projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare etj.”.

Zëvendësrektorja, dr. Benita Stavre vijoi më pas me një prezantim të përgjithshëm të veprimtarisë që zhvillon UNIKO, me fokus mënyrën se si studentët përfshihen në jetën akademike të këtij Universiteti dhe në veprimtari të tjera të zhvilluara prej tij. Ajo u ndal në veprimtaritë letraro-artistike të organizuara prej studentëve, në veprimtaritë me karakter ndërgjegjësues, konkurset, panairet e ndryshme, konferencat studentore, veprimtaritë shkencore etj. Gjithashtu, literatura e pasur që ofron fondi i bibliotekës së UNIKO në të 4 fakultetet e tij, si dhe një numër i konsiderueshëm laboratorësh me pajisje bashkëkohore u krijojnë studentëve kushte shumë të mira edhe për punën e tyre studimore e kërkimore. Mbështetja me bursa që Universiteti ofron për studentët me mesatare 9-10 dhe për studentët në nevojë, përfaqësimi i studentëve në organet drejtuese të Universitetit, mbështetja dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i studentëve me Qendrën e Karrierës, Qendrën e Inovacionit, Qendrën për Formimin e Vazhduar etj., ishin disa prej çështjeve që zëvendësrektorja trajtoi në këtë prezantim. 

Më pas, takimet vijuan me grupe të veçanta të ndara sipas fakulteteve. Maturantët zgjodhën fakultetet për të cilat kishin interes, duke u drejtuar pyetje dekanëve dhe pedagogëve të pranishëm në lidhje me programe të ndryshme studimi. 

Fushata e informimit të maturantëve që ka filluar prej disa ditësh në UNIKO do të shtrihet përgjatë gjithë muajit mars. Takimet janë parashikuar të zhvillohen online sipas një grafiku të përcaktuar nga Qendra e Karrierës dhe Alumni, ku nëpërmjet mundësisë që ofron edhe platforma do të përfshihen maturantë nga i gjithë vendi. Gjithashtu është menduar që të zhvillohen edhe takime me grupe të vogla maturantësh, të cilëve do t’u shpërndahen edhe fletëpalosje.

Leave a Reply

sqAlbanian