|
Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, kjo qendër e rëndësishme arsimore, edukative, kualifikuese dhe shkencore e rajonit tonë, por edhe më gjërë, tashmë po mbush një histori 37 vjeçare të aktivitetit të tij të spikatur në të gjitha fushat. Që me krijimin e tij dhe deri në ditët e sotme ai ka thënë fjalën e vet të fuqishme për ngritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve akademike, ka përpunuar vizione dhe programe ambicioze universitare si dhe metoda aktive për përgatitjen e specialistëve të lartë në shumë fusha dhe sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, bujqësisë, arsimit, shëndetësisë, etj, duke harmonizuar formimin teorik të studentëve me punët laboratorike, praktikat eksperimentale e profesionale. Hapat e para të arsimit të lartë në rajonin e Korçës u hodhën qysh në vitet 1968 - 1971 me çeljen dhe funksionimin e Filialeve të Universitetit të Tiranës si ai Pedagogjik me degët Gjuhë - Letërsi; Histori - Gjeografi; Biologji - Kimi; Matematikë - Fizikë. Më vonë degët e Filialit zgjerohen duke çelur degët Ekonomi dhe Kontabël. Veç këtyre degëve, çelen edhe ato të formimit inxhinierik si ato mekanike dhe ndërtim. Këto degë i ndoqën mbi 3000 studentë: 1619 pedagogjik; 1093 ekonomik; 340 inxhinieri. Rëndësi themelore kishte përgatitja dhe kualifikimi i gjeneratës së parë të pedagogëve që u bënë "Prekursorët e Diturisë Universitare" në këtë institucion. Në vitin 1971, më 15 Qershor, vit të cilit i referohet themelimi institucional, ka të bëjë me çeljen e Institutit të Lartë Bujqësor, me programe e shtrirje studimi të përditshëm krahas veprimtarisë së studimit me modelin e filialit. Më vonë të dy institucionet Filiali dhe I.L.B. unifikohen organizativisht dhe administrativisht duke krijuar një institucion mjaft me peshë e të rëndësishëm jo vetëm për rajonin por krejt vendin. Për një periudhë gati 20 - vjeçare '71 - '91, në evoluimin e këtij institucioni u punua aktivisht, ndonëse në kushtet e kufizimeve jo të vogla të sistemit politik, për ngritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve akademike, u përpunuan vizione dhe programe ambicioze universitare si dhe metoda aktive për përgatitjen e specialistëve të lartë në bujqësi e fusha të tjera duke harmonizuar formimin akademik me punët laboratorike, praktikat eksperimentale e profesionale. Për gjatë 2 dekadave të mësipërme ndoqën studimet pranë I.L.B 2300 studentë 1700 prej të cilëve u diplomuan dhe dhamë kontributin e tyre si specialistë Agronomë anë e kënd Shqipërisë, në sektorët e vështirë të prodhimit apo në institucione kërkimore. Ndërsa periudha e viteve 1992 e deri sot i përket riorganizimit tërësor konceptual e strukturor, reformimit dhe modernizmit të gjithanshëm të këtij institucioni, në kushtet e ndryshimeve të thella demokratike të vendit, sipas modelit dhe statusit ligjor të Universitetit. Universiteti ynë trashëgoi përvojën dhe arritjet më të mira të arsimit kombëtar shqiptar, të punës intensive e plot pasion të brezave të pedagogëve e studentëve, të cilët kultivan vlerat akademike si dhe hodhën themele të shëndosha në punën mësimore e studimore. Me vendimin Nr.5 të datës 7 janar 1992 të Këshillit të Ministrave, fillon veprimtarinë Universiteti i Korçës i cili në vitin 1994 mori emrin Universiteti "Fan S.Noli". Në strukturën e tij fillimisht u përfshinë 3 fakultete: Fakulteti i Bujqësisë; Fakulteti i Mësuesisë dhe Fakulteti i Ekonomisë me departamentet dhe degët përkatëse. Në vitin 1995 u çel edhe dega autonome e Infermierisë. Gjatë kësaj periudhe universiteti u rrit dhe u zgjerua me de |